SHPALLET 1 VEND VAKANT, POZICIONI I PUNËS “SPECIALIST FINANCE” – AFATI I APLIKIMIT DERI NË 25 SHTATOR 2026
Në mbështetje të Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në RSH”, i ndryshuar, neni 19 pika 1, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij; të ligjit nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative në RSH”; të ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij; të ligjit nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij si dhe urdhrit nr. 174, datë 12.03.2018 “Për miratimin e rregullores së brendshme të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, Durrës”(propozuar për ndryshim):
Shtëpia e Pushimit e MPB, Durrës shpall procedurën e rekrutimit për plotësimin e pozicionit vakant, si më poshtë :
Pozicioni: SPECIALIST FINANCE, kategoria IV-2, që kryen detyrat (kryesore):
- Zbaton programin e punës sipas miratimit nga përgjegjësi i sektorit;
- kryen veprimet përkatëse për përllogaritjen e pagës për çdo punonjës, kontributeve përkatëse të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimin mbi pagë dhe parashikimeve të tjera;
- kontrollon saktësinë e të gjithë dokumentacionit të magazinave (hyrje, dalje) dhe dokumentet shoqëruese të tyre (faturë, urdhër-dorëzimi, fletë-kërkesë);
- mban librin e të ardhurave personale për çdo punonjës dhe plotëson librezat e kontributeve për një periudhë jo më shumë se viti i fundit me kërkesën e secilit punonjës;
- verifikon saktësinë e çmimeve të mallrave sipas kontratave përkatëse si dhe marrjen e mallit në dorëzim nga komisionet e caktuara për pritje malli;
- përpilon evidencat statistikore financiare me treguesit kryesorë ekonomik, sipas kërkesave specifike të miratuara nga përgjegjësi i sektorit;
- angazhohet në përgatitjen e programeve periodike (vjetore dhe mujore) të punës së sektorit.
KRITERET E PËRGJITHSHME
Kandidati duhet:
– të përmbushë kërkesat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi;
– të ketë aftësi të plotë për të vepruar;
– të plotësojë kriteret arsimore dhe profesionale të përcaktuara për pozicionin;
– të paraqesë dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit.
KRITERET E VEÇANTA
Kandidati për pozicionin Specialist Finance duhet të plotësojë këto kërkesa:
- Arsimi: Diplomë Bachelor ose Master në Shkenca Ekonomike, ose në një profil të përafërt ekonomik, sipas kërkesave të pozicionit ( preferohet Financë- Kontabilitet).
- Përvoja profesionale: Të ketë përvojë në fushën e financës/kontabilitetit, jo më pak se 1 vit.
- Të ketë njohuri të legjislacionit financiar dhe kontabël të zbatueshëm për institucionin.
- Të ketë njohuri dhe aftësi në përdorimin e programeve kompjuterike, veçanërisht MS Office/Excel dhe programeve financiare.
- Të ketë aftësi për përgatitjen, kontrollin dhe administrimin e dokumentacionit financiar.
- Të ketë aftësi për punë në grup, korrektësi dhe përgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës.
DOKUMENTACIONI
Kandidatët duhet të paraqesin:
- Jetëshkrim.
- Kërkesë për pune.
- Diplomë të arsimit të lartë, listë notash (fotokopje e noterizuar).
- Çertifikata ose diplomat e kualifikimeve dhe të specializimeve, nëse disponojnë (fotokopje).
- Fotokopje e dokumentit të identifikimit të punonjësit (ID).
- Çertifikatë familjare.
- Vërtetim banimi.
- Vërtetim i aftë për punë.
- Vërtetim të gjendjes gjyqësore, vërtetim nga gjykata dhe prokuroria.
- Fotokopje të librezës së punës për të vërtetuar eksperiencën e kërkuar.
.
AFATI I APLIKIMIT
Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara më sipër, duhet të bëhet brenda datës 25.09.2026 ora 12:00, në rrugë zyrtare ose dorazi në protokollin e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme Durrës, me adresë: Lgj.13, Rr.”Pavarësia”, Plepa, Durrës.
Zhvillimi i intervistës me aplikantët e përzgjedhur nga komisioni “Ad-hoc” brenda datës 28.09.20026 ora 13:00, nga ku vetëm kandidatët të cilët përmbushin kriteret do të përzgjidhen dhe do të njoftohen për intervistë pranë Shtëpisë së Pushimit të MPB,Durrës, si dhe njoftimi i kandidatit fitues brenda datës 29.09. 2026.
Me emërimin në pozicionin e punës do të lidhet kontrata individuale e punës.